Vaksina eksperimentale kundër alergjisë ndaj maceve pritet të testohet te njerëzit

Vaksina eksperimentale kundër alergjisë ndaj maceve pritet të testohet te njerëzit

Një vaksinë eksperimentale që synon të trajtojë alergjinë nga macet është pranë fillimit të testimeve klinike tek njerëzit.

Universiteti Sechenov në Moskë ka konfirmuar se projekti tashmë ndodhet në fazën përgatitore për nisjen e provave njerëzore, në bashkëpunim me Universitetin Mjekësor të Vjenës.

Sipas studiuesve, janë përzgjedhur dy formulime premtuese që kanë treguar efikasitet në fazat e hershme të zhvillimit. Vaksina po shihet si një hap i madh drejt zgjidhjes së një prej alergjive më të përhapura globalisht – asaj që shkaktohet nga macet.

Alergjia ndaj maceve shoqërohet zakonisht me probleme si riniti alergjik, astma, konjuktiviti apo dermatiti, dhe prek rreth 25 për qind të popullsisë botërore. Burimi kryesor i saj janë proteinat Fel d1, Fel d4 dhe Fel d7, që ndodhen në pështymën dhe yndyrën e maceve.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se vaksina mund të ketë efekt edhe për ata që janë të ndjeshëm ndaj qenve dhe kuajve, falë ndikimit që ka ndaj alergjenëve Can f1 dhe Equ c1.

Nëse testimet klinike rezultojnë të suksesshme, kjo vaksinë mund të sjellë një përparim të madh në trajtimin e alergjive të frymëmarrjes dhe të përmirësojë ndjeshëm jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Related Articles