Stilisti i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti, e ka kaluar mëngjesin e sotëm në presidencë, pranë Presidentes më të re të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kreatori i cili tashmë po kujdeset për veshjet e saj, ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram një fotografi nga takimi me presidenten Osmani.
Në mbishkrimin e imazhit, stilisti Sahiti ka cekur fjalinë motivuese për vajzat që Vjosa tha në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ditën që u zgjodh presidente e vendit.
“Vajzat e kanë vendin vetëm ku ato dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka ato punojnë fort e me zell“, kanë qenë fjalët e Osmanit, të cilat Valdrini i transmetoi për ndjekësit e tij në Instagram.
Tutje, Sahiti theksoi se vajza e tij tashmë ka shembuj të ndryshëm të grave të suksesshme për të ndjekur, e që një ndër to është edhe presidentja në fjalë.
“Ky vend po ecën vetëm përpara! Vajza ime do ketë shembuj për të ndjekur dhe do të zgjedhë për të ardhmen e saj. Askush, kurrë, nuk do ti tregojë se sa metra katrorë mund ti lejojë botës së saj të pafundme”, ka shkruar Valdrin Sahiti në Instagram.