Xhuli shpërthen në lot: Fëmijën do ta përkundi në djepin me flamur kuq e zi, jo me të Kosovës

Xhuli shpërthen në lot: Fëmijën do ta përkundi në djepin me flamur kuq e zi, jo me të Kosovës

Juliana Nura e njohur si Xhuli i Big Brother VIP Kosova 1, së fundmi ka rrëfyer në detaje disa nga momentet më të vështira që ka kaluar gjatë luftës në Kosovë, ku siç u shpreh ajo, i janë masakruar të afërmit.

Xhuli në lot tregoi se serbët i kanë vrarë gjyshin, familjarët nga ana e nënës dhe babait. Nga ana tjetër ajo tregoi se babai i saj u kthye në Kosovë për të luftuar dhe se nuk kanë pasur asnjë lajm nëse ai ishte gjallë.

“Unë isha vetëm tetë vjeçe kur lufta e Kosovës filloi dhe ajo na demoralizoi shumë si familje sepse unë rrjedh nga një qytezë si Drenica që njihet tashmë që ka ndryshuar historinë e Kosovës dhe troje të tjera. Familja ime ka dhënë shumë për këtë luftë. Babi im u kthye në Kosovë për të luftuar, ndërsa ne mbetëm në Finlandë. Në atë kohë rrija përpara televizorit për të parë çfarë po ndodh në Kosovë.

Kemi marrë shumë shpesh mesazhet e gabuara dhe demoralizoheshim shumë. Mamaja ime vjen nga Prekazi legjendar dhe kemi marrë lajme që u masakrua gjyshi, u masakruan pastaj familjarët e mamit dhe më pas familjarët e babait. Ndërkohë gjatë kësaj kohe babi im ishte në luftë dhe nuk e dinim a ishte gjallë apo jo”, rrëfeu ajo.

Juliana Nura u shpreh se lufta e Kosovës është një traumë që nuk kalon, përjetimet janë ngulitur thellë në memorien e atyre që e kanë përjetuar.

“Ankthi i një fëmije që priste për një telefonatë të hidhur, ajo është një traumë që me kalimin e viteve bëhet e madhe. E ke si një ndjesi përbrenda që do të shpërthesh, por nuk mundesh. Kur mua më duhet të flas për fëmijërinë më kujton gjithmonë luftën e Kosovës, fatkeqësisht. Nuk është aspak e lehtë të flasësh për këtë gjë dhe kam vendosur të mos flas për këtë.

Se e di që kur flas do të qaj gjithmonë. Ajo është pjesë e familjeve të shqiptarëve të Kosovës dhe është një gjë që nuk kalon. Është një dhimbje që të kujton se sa shumë kemi vuajtur për këto tradita, për gjuhën e bukur shqiptare”, u shpreh ajo.

“Ne e kemi një traditë në familjen tonë që djepin e ruajmë shumë me dashuri. Edhe unë një ditë kur do të bëhem mami, do ta përkundi me flamurin kuq e zi, jo me flamurin e Kosovës sepse unë mendoj se ai është politik“, tha ajo.

Related Articles