“Zgjedhjet në veri do të bojkotohen”

“Zgjedhjet në veri do të bojkotohen”
Dy ditë para votimeve, në Mitrovicën e Veriut nuk është vendosur asnjë njoftim për zgjedhje e as pankarte promovuese e partive politike për procesin e zgjedhjeve lokale. Qytetarët serbë nuk pranuan të deklarohen rreth zgjedhjeve, ndërsa përfaqësues politikë dhe analistë serbë shprehën qëndrimin se bojkotimi i votimeve është absolutisht i garantuar më 23 prill

Pa shenja informuese e pa pankarte promovuese të partive politike janë rrugët dhe pjesët e qytetit të Mitrovicës së Veriut, dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme në katër komuna veriore, të banuara kryesisht me serbë.

Për zgjedhjet që do të organizohen më 23 prill në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan nuk duan të flasin fare qytetarët serbë. Ndërsa përfaqësuesit politikë dhe analistët janë shprehur të prerë në një qëndrim – se bojkoti i votimeve të dielën do të jetë i garantuar.

Miodrag Miliçeviq, përfaqësues i organizatës “Aktiv” në Mitrovicë të Veriut, ka thënë se ka pasur një angazhim të organizuar politik për ta dështuar procesin.

“Bojkoti do të jetë absolutisht i garantuar, kjo është shumë e qartë. Jo vetëm për thirrjen që e ka bërë Lista Serbe, por edhe për të gjithë të tjerët që janë pjesë e procesit politik dhe gjithë ne që i përcjellim ndodhitë parazgjedhore”, ka thënë Miliçeviq.

E kryetari i iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, teksa dha po ashtu sinjale për bojkot, e ka përjashtuar mundësinë e tensionimeve në veri.

“Zgjedhjet do të bojkotohen dhe do të mbikëqyren nga forcat speciale të Policisë së Kosovës. Siç e kemi parë edhe tani, kur janë vendosur kontejnerë. Nuk mendoj se ndonjë njeri do të mundohet ta kalojë atë mur të gjallë mbrojtës të Policisë. Kështu që nuk do të duhej të vijë deri te tensionimi i situatës”, ka deklaruar Arsenijeviq.

Të dy kanë shprehur dyshime sa i përket transparencës së procesit dhe të legjitimitetit të tij.

“Do të organizohen zgjedhje jonormale, zgjedhje që gjithçka mund t’i thuhet se janë përveçse zgjedhjeve demokratike. Votime nëpër kontejnerë mobilë, në qendra që dikush mundet t’i lëvizë nga vendi në vend dhe ku kutitë mund edhe të manipulohen. Dhe kjo jotransparencë veçse e rrit atë pyetjen për kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Arsenijeviq.

E Miodrag Miliçeviq, përfaqësues i organizatës “Aktiv” thotë se dalja do të jetë simbolike.

“Nuk pritet dalje e madhe në zgjedhje, përkundrazi, pritet dalje shumë e ulët, që do ta vërë në pyetje edhe legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve dhe të gjithë atyre që do të zgjidhen”.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk do të marrë pjesë Lista Serbe, subjekt ky politik që përfaqëson shumicën e serbëve lokalë të Kosovës. Ajo u ka bërë thirrje mbështetësve të saj për bojkotimin e procesit.

Në këto zgjedhje, komuniteti serb do të përfaqësohet vetëm me një kandidat, pas tërheqjes nga gara të Aleksandar Jabllanoviqit.

Zgjedhjet janë caktuar pas vendimit të serbëve të veriut për braktisjen e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë për konvertimin në RKS të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Related Articles