Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka proceduar për lexim të dytë plotësim-ndryshimin e ligjit për themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, si dhe ka miratuar raportin me amandamente për projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.
Në këtë mbledhje ishte paraparë të shqyrtohej edhe kërkesa për financim të Radio Televizionit të Kosovës, e cila së bashku me raportin e shpenzimeve është shtyrë për të mërkurën.
Kërkesa për shtyrje u bë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili kërkoi që fillimisht të diskutohet raporti i shpenzimeve pastaj projeksionet për financim për muajt e ardhshëm.
“Si rregull ka qenë gjithmonë që të vjen së pari raporti i shpenzimeve pastaj edhe ne të diskutojmë për projeksionet, meqenëse nuk e kemi raportin besoj që kjo pikë e rendit të ditës kjo pikë të shtyrë pas raportit apo bashkarisht të vendoset edhe tek pjesa e projeksioneve… ne nuk i kemi marr materialet nuk i kemi shqyrtuar materialin dhe sigurisht që gjithmonë e kemi cek që kjo formë e raportimit dhe miratimit të buxhetit është në kundërshtim edhe me pavarësinë e RTK-së, e keni bërë ju këtë rregull si parti politike, tash e kemi para vetës si rregull dhe sigurisht në këtë drejtim ne duhet të ndjekim hapat që së paku të ketë raportim pas raportimit, pastaj projeksionet për muajt e ardhshëm”, tha Lushtaku.
Lidhur me akuzën e Lushtakut se kanë sjell rregulla për raportim të RTK-së, Armend Muja, kryetari i këtij komisioni, tha se si Lëvizje Vetëvendosje nuk e kanë bërë këtë rregull por e kanë vazhduar atë që kanë gjetur.
“Këtë lloj të raportimi nuk e kemi bërë ne si parti politike por e kemi gjetur si mekanizëm i raportimit, unë pajtohem që është pak i shpeshtë për këtë i takon bordit të RTK-së me tejkalua, në fakt e kanë për mandat ata me ardhur me një propozim se si mund të sigurojnë pavarësi operacionale”, u shpreh Muja.
Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj kërkoi që anëtarët e Komisionit për Buxhet të nisin me vizitat në terren të kompanive prodhuese që eksportojnë.
“Ne si komision ende nuk kemi mundur që të dalim në terren dhe t’i vizitojmë prodhuesit tani, sidomos ata që kanë eksport më së shumti në Kosovë dhe ata presin që ne t’i vizitojmë. Ne kemi shqyrtuar në planin e veprimit të këtij komisioni që do të kemi vizita të kohë pakohshme por deri më tani nuk e kemi realizuar këtë, a mendoni që tani është koha apo pas pushimeve”, tha ai.
E anëtari i Komisionit për Buxhet nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi të di se pse para se Kuvendit i Kosovës të shkoj në pushim nuk ka ardhur për shqyrtim rishikimi i buxhetit.
“Po e ngrisë një shqetësim timin lidhur me rishikimin e buxhetit, kam kërkuar edhe nga ju si kryetar të kërkoni informacione se para shkuarjes në pushim të Kuvendit, a do të kemi një rishikim të buxhetit duke ditur se po hasim në vështirësi të mëdha dhe inflacioni është gjithmonë në rritje dhe sfidat e shtrenjtimit të produkteve dhe çdo problem por ndërlidhet edhe me buxhetin e Kosovës në formë direkte apo indirekt. Unë e kam parë të arsyeshme që të ngirsim shqetësimin tonë se përse nuk ka ardhur në rishikim buxheti i Kosovës para se të shkojmë në pushim Kuvendi”, tha ai.
E kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja tha se është në pritje të kësaj përgjigje./kp/