Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku me kreun e saj Mehmet Kraja ka diskutuar për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ASHAK-ut në fushën e energjisë dhe fusha të tjera.
Kurti me këtë u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën, artin e kulturën”, tha Kurti.
Ai veçoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.
“Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë takim, akademik Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e ASHAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendës ministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj.