Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka takuar sot përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme nga sektori i gastronomisë, hotelerisë, sportit e rekreacionit për të diskutuar rreth bashkëpunimit në fuqizimin e zbatimit të masave kundër COVID-19.
Në këtë takim u kërkua zbatimi i masave kundër COVID-19, pavarësisht situatës së qetë epidemiologjike, ndërsa dëshmia e vaksinimit t’u kërkohet qytetarëve me rastin e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme dhe gjatë marrjes së shërbimeve.
Ishte qëndrim i përbashkët që të gjithë të bëjnë maksimumin brenda sektorëve ku veprojnë me qëllim që të parandalohet çfarëdo reduktimi apo mbyllje e veprimtarive për shkak të ndonjë përkeqësimi eventual të situatës, si pasojë e mos respektimit të masave dhe mos vaksinimit.
Ministri Latifi ka thënë se mbyllja nuk është zgjidhje, andaj nga ky takim u është bërë apel njëzëri qytetarëve të pa vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë për të mos u kthyer prapa me kufizime të ndryshme. /Gazeta Enigma/.