Lidhja Demokratike e Kosovës të enjten ka mbajtur mbledhjen e radhës të kryesisë qendrore, ku ka marrë tri vendime, ndër to edhe nisjen e procesit të hartimit të programit politik dhe qeveritar, raporton Gazeta Enigma.
LDK, në një komunikatë të bërë publike në Facebook, ka njoftuar se në këtë mbledhje u prezantua raporti i punës i Shtabit Zgjedhor si dhe u vlerësua rezultati i shkëlqyeshëm i arritur në zgjedhjet lokale.
Në këtë mbledhje thuhet se u rikonfirmua mbi të gjitha nevoja për forcim të mëtutjeshëm të kapaciteteve organizative të LDK-së e vazhdim të reformave substanciale në të gjitha nivelet.
Në këtë drejtim, kryesia mori këto vendime:
1. Formohet Komisioni tre anëtarësh i Kryesisë së LDK-së, me qëllim të vlerësimit të rezultatit zgjedhor, analizës së gjendjes së Degëve dhe dhënies së rekomandimeve për riorganizimin strukturor të tyre. Komisioni do të zhvillojë komunikim dhe koordinim të ngushtë me Kryesitë e Degëve në gjithë Kosovën. Rekomandimet e Komisionit i prezantohen Kryesisë për vendim përfundimtar. Komisioni përbëhet nga nënkryetari, Gazmend Muhaxheri; sekretari i përgjithshëm, Imri Ahmeti; si dhe nga kryetarja e Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi.
2. Lidhja Demokratike e Kosovës nis procesin e hartimit të programit politik dhe qeveritar, si bazë e veprimit opozitar të sotëm e si bazë e qeverisjes së ardhshme. Ekipet punuese të shtyllave programore, gjatë gjithë procesit hartues, do të zhvillojnë konsultime me grupet e interesit të shoqërisë kosovare me qëllim që programi ynë politik të jetë sa më i qëndrueshëm aq edhe më gjithëpërfshirës.
3. Lidhja Demokratike e Kosovës, nis përgatitjet finale të regjistrimit të anëtatësisë në të gjitha nivelet, nëpër gjithë Kosovën, proces që do të nis së zbatuari me fillim të vitit 2022”, thuhet në postimin e LDK-së.
/Gazeta Enigma/