Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla pret draft marrëveshjet e para me Maqedoninë e Veriut të cilat do të duhej të sigurojnë lehtësimin e procedurave burokratike administrative për lëvizjen e qytetarëve nga njëri vend në tjetrin.
Ai për Alsat tha se grupet e përbashkëta të punës mes dy vendeve janë në komunikim dhe detektojnë pengesat dhe vështirësitë si dhe mundësitë për tejkalimin e tyre.
“Unë shumë shpejt pres që ky grup punues të vijë me alternativat e nevojshme dhe pastaj të kemi edhe proceset e duhura, marrëveshjet e nevojshme, në mënyrë që shtetasit e të dy vendeve të kalojnë nga një vend në vendin tjetër pa vonesa dhe pa pengesa burokratike të cilat realisht nuk janë edhe të nevojshme. Ne kemi një praktikë shumë të mirë me Republikën e Shqipërisë dhe dëshirojmë që këtë praktikë ta bartim edhe në pikë kalimet me Republikën e Maqedonisë”, tha Xhelal Sveçla, ministër i Brendshme i Kosovës.
Edhe nga Ministria e Brendshme në Shkup konfirmojnë se janë në përmbyllje të negociatave për të pasur një marrëveshje me Kosovën për pika të përbashkëta kontrolli në kalimet kufitare. Vendi ka një marrëveshje të ngjashme me Republikën e Shqipërisë për vendkalimin kufitar në Qafëthanë, e cila duhet të kishte filluar të zbatohej që në fund të vitit 2021 por kjo gjë akoma nuk ka ndodhur. Kosova dhe Shqipëria, nga ana tjetër, po zbatojnë marrëveshjen e përbashkët e cila hyri në fuqi nga qershori i këtij viti që parasheh hapjen e tërësishme të kufijve mes dy vendeve për lëvizje të lirë të qytetarëve të tyre, pa asnjë kontroll, në fundjava dhe festa kombëtar.