Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga 1 vit burgim me kusht dhe 1 mijë e 800 euro gjobë Miradije Mehën, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP), në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe ish-kryeshefin ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha, për deklarim të pasaktë të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj të njëjtëve u shpall të mërkurën nga gjyqtari Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit (secili veç e veç) u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.
E akuzuara Miradije Meha u dënua me 1 mijë euro gjobë, ndërsa i akuzuari Murat Meha u dënua me 800 euro gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi, lejohet e drejta e ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim.
Sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2018-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Miradije dhe Murat Meha akuzoheshin për mosraportim të saktë të pasurisë.
Prokuroria pretendon se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, e pandehura Miradije Meha në cilësinë e zyrtares së lartë publike, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, e njëjta nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formular lidhur me palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 në Zonën Kadastrale Llapllasellë, e cila është në emër të saj si dhe banesën e blerë në Tiranë në vitin 2012 në sipërfaqe prej 90.3 m2, në emër të bashkëshortit të saj Murat Meha.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Murat Meha thuhet se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë dhe atë palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 Zonën Kadastrale Llapllasellë, e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij Miradije Meha.
Me këtë, secili veç e veç akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.