Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump vendosi afat prej 10 ose 12 ditësh për Rusinë që të bie dakord për një ujdi me Ukrainën.
Ky vendim i Trumpit erdhi më 28 korrik, gjatë një takimi me kryeministrin britanik, Keir Starmer, duke përgjysmuar kështu afatin e tij të mëparshëm prej 50 ditësh për shtetin rus.
Gjatë këtij takimi mes dy krerëve të dy shteteve, Trumpi pati thënë se nëse Rusia nuk arrin një marrëveshje, ai mund të vendosë sanksione dhe tarifa dytësore, sipas BBC.
Presidenti ka ndryshuar pikëpamjet e tij mbi luftën në Ukrainë gjatë administratës së tij të dytë, duke shprehur së fundmi se është “i zhgënjyer” me presidentin rus Vladimir Putin.
Ai tha të martën se ende nuk ka dëgjuar nga Rusia për afatin e ri kohor, shkruan Politico.eu.
Por, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, dha një përgjigje të shkurtër më 29 korrik, duke thënë se Kremlini “është në dijeni” të deklaratës së Trumpit, pa dhënë hollësi të tjera. Ai shtoi se nuk do të komentonte asnjë deklaratë tjetër të Trumpit, sipas së cilës “nuk është më i interesuar” për bisedime me Putinin.
Sipas analistit politik Boris Pastukhov, kjo ishte një përgjigje e shkurtër nga Kremlini. “Putini po pret”, tha ai për televizionin Current Time të Radios Evropa e Lirë. “Që ta dijë se çfarë të thotë, atij i duhet ta kuptojë saktësisht se si Trumpi planifikon të sillet”.
Sakaq, të mërkurën Kremlini tha se vazhdon të monitorojë deklaratat e presidentit amerikan në lidhje me sanksionet kundër Moskës, por se Rusia kishte fituar imunitet ndaj masave të tilla falë përvojës së gjatë.
Edhe pse Trump nuk ka thënë se çfarë do të bëjë kur të skadojë afati i tij për një marrëveshje armëpushimi, kjo përfaqëson një kthesë në qëndrimin e tij në shkurt, kur ai e konsideronte Ukrainën pengesën kryesore për paqen, shkruan Aljazeera.
“Presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse Amerika është e përfshirë”, shkroi ai atëherë në llogarinë e tij Truth Social, “sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata”.
E nga ana tjetër presidenti ukrainas e mirëpriti afatin më të shkurtër të Trumpit ndaj Rusisë, duke e quajtur atë “një deklaratë jashtëzakonisht të rëndësishme”.
Aleatët evropianë të Ukrainës kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë të arritur këtë muaj midis ShBA-së dhe Gjermanisë, sipas së cilës aleatëve që dhurojnë sisteme Patriot për Ukrainën u jepet përparësi në blerjen e sistemeve të reja.
Lituania tha se ishte gati të ndihmonte në furnizimin e Ukrainës me sisteme Patriot me vlerë 35 milionë dollarë, pas Gjermanisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Suedisë. Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se tre bateri Patriot ishin dërguar në Ukrainë.
ShBA gjithashtu miratoi shitjet ushtarake të huaja të automjeteve luftarake Bradley dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore Hawk për Ukrainën të enjten.
Ndryshe, Trumpi është ankuar për mungesën e një marrëveshjeje në luftë, me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që filloi në vitin 2022 ndërsa Joe Biden ishte president. Përpara inaugurimit të tij, Trump këmbënguli se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, duke fajësuar Bidenin që lejoi fillimin e luftës.