10 euro për veturat që hyjnë në Prishtinë e 1 euro për personat që e kalojnë natën

10 euro për veturat që hyjnë në Prishtinë e 1 euro për personat që e kalojnë natën

Qytetarët e komunave të tjera mund të detyrohen së shpejti të paguajnë 10 euro për hyrje me automjet në qendër të Prishtinës, nëse miratohen ndryshimet e reja të propozuara nga Komuna. Këtë javë, autoritetet e kryeqytetit i kanë vënë propozimet në platformën për konsultime publik, dhe do t’i procedojnë për miratim pas datës 24 qershor. Krahas taksës për automjete, draft-rregullorja parasheh edhe pagesë prej një euro për çdo natë akomodimi të qytetarëve në Prishtinë. Qytetarë e aktivistë janë shprehur kundër kësaj nisme.

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat finale për ta jetësuar nismën për vendosje të taksës prej 10 eurosh secilit qytetar që nuk është rezident në kryeqytet, e që hyn me automjet në qendër. Krahas kësaj, ka paraparë taksë edhe për ata që nuk hyjnë me automjet, por e kalojnë natën në Prishtinë.

Politika është prezantuar në draftin që përmban ndryshimet në Rregulloren për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, dokument të cilin këtë javë Komuna e ka vënë në platformën për konsultime publike.

“Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 (dhjetë) euro për hyrje. Pagesa e taksës realizohet: përmes pikave të autorizuara hyrëse; përmes sistemit elektronik të pagesës; ose përmes platformave të tjera të miratuara nga Kryeqyteti”, thuhet në dokumentin me ndryshimet e propozuara për Rregulloren për tarifat.

Nga pagesa e kësaj takse parashihet të përjashtohen: automjetet e shërbimeve emergjente, si autoambulanca e mjetet e zjarrfikësve dhe policisë, pastaj automjetet e institucioneve publike në kryerje të detyrës zyrtare, automjetet e banorëve rezidentë të kryeqytetit që posedojnë dëshmi të vlefshme; si dhe automjetet për kategori të tjera të përcaktuara me vendim të veçantë të Kryetarit të Prishtinës.

Bazuar në dokument, mospagesa e taksës prej 10 eurosh për automjet, përbën kundërvajtje dhe sanksionohet me gjobë. Por, lartësia e gjobës nuk është përshkruar.

Ndryshimet në Rregulloren për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale përfshijnë edhe një taksë të re.

Neni 9 i draftit të rregullores përcakton që qytetarët e Kosovës dhe të huajt që qëndrojnë gjatë natës në një strukturë akomoduese jashtë vendbanimit të tyre paguajnë taksën e akomodimit prej një eurosh për natë. Këtë do ta bëjnë qoftë në hotel apo objekt tjetër akomodimi.

“Taksa arkëtohet nga subjekti hotelier në momentin e pagesës së shërbimit të akomodimit. Shuma e taksës paraqitet si pikë e veçantë në faturë. Subjekti hotelier vepron si mbledhës i taksës në emër të Komunës”, thuhet në draft-dokument.

Drafti i rregullores parasheh edhe rritje taksash për disa kategori biznesesh.

Për biznese që merren me tregti të artikujve farmaceutikë, qoftë me shumicë apo me pakicë, taksa pritet të rritet për 200 euro. Po për 200 euro është planifikuar t’u rritet taksa edhe moteleve. E, të vetmet biznese që është paraparë t’u përgjysmohet taksa, nga 1000 në 500 euro, janë institucionet mikrofinanciare.

Ndryshimet kanë listuar edhe 41 veprimtari biznesore që duhet të taksohen, përfshirë edhe sallonet e floktarisë që është paraparë të paguajnë 1000 euro, taksë kjo e njëjtë me atë të bankave.

Që taksat të hyjnë në fuqi, pas konsultimeve publike që do të bëhen deri më 24 qershor, ndryshimet e rregullores duhet të miratohen nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Ndërkohë, Qytetarë e aktivistë janë shprehur kundër tarifës 10-euroshe të propozuar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas tyre, masa është cilësuar e padrejtë dhe e rëndë.

Bardhec Hajdari, i cili është nga Gjakova, thotë se nëpërmjet taksës, Komuna synon t’i selektojë njerëzit që mund ta vizitojnë Prishtinën.

“Unë këtë vendim e marr jo në rregull, si të paligjshëm. Qytetarët kanë obligime tjera boll e me pagu edhe 10 euro me hy në Prishtinë. Këto nuk i qet Tirana e jo Prishtina dhe kjo nuk është në rregull hiç. Kjo është dënim i popullit, kjo është me ia pi gjakun me pambuk. Ku kanë pare me pagu 10 euro me hy në Prishtinë? Kjo është me largu popullsinë që mos me pas fat me hi gjithkush në Prishtinë”, ka thënë Hajdari.

Edhe banorë të Prishtinës janë shprehur kundër politikës së iniciuar nga komuna e drejtuar nga Përparim Rrama. Ata kanë shprehur drojë se, në rast që ndryshimet në rregulloren për tarifa hyjnë në fuqi, do të ketë efekt bllokimi gjithandej Kosovës.

“Është e tepërt për standardin e jetesës që e kemi me iu nënshtru atij tatimi. Prandaj unë do të preferoja që të bëhen parakushte për vendosjen e veturave jashtë Prishtinës me qëllim të sigurimit të tyre. Atëherë po, do të kishte kuptim. Pse po don me hi në Prishtinë kur s’ki qare pa hi, por e ki përditshmërinë në Prishtinë, punën në Prishtinë dhe me pagu 10 euro nuk është e drejtë e as logjike”, ka thënë Gani Berisha, banor i Komunës së Prishtinës.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe banori tjetër, Avdullah Berisha.

“Është gabim shumë i madh, sepse nëse Prishtina e vendos, do ta vendosin edhe komunat e tjera dhe atëherë do të bllokohet gjithçka. Kjo është veç humbje e parasë së qytetarëve”, ka thënë ai.

Drojë të njëjtë ka shprehur edhe analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu.

“Komuna e Prishtinës, përveç të hyrave të tjera buxhetore, merr edhe afro 20 milionë euro ne vit, në emër të të qenit kryeqytet. Kjo taksë ose masë nuk është bërë për ta mbrojtur ose zhvilluar kryeqytetin, por për t’i përjashtuar të tjerët nga mundësia e qasjes në kryeqytet. Pyetja logjike shtrohet: Çka nëse komunat e tjera fillojnë të aplikojnë të njëjtën masë? Atëherë do të krijohet një katrahurë”, është shprehur Salihu.

Salihu vlerëson se me taksë cenohen parimet kushtetuese, pasi thotë se në asnjë vend të Evropës nuk aplikohen masa të tilla të përgjithshme.

“Aplikohen masa për zona të caktuara ku nuk përjashtohet asnjë qytetar, ndërsa te rasti i Prishtinës, dikush favorizohet e dikush përjashtohet, gjë që nuk është në frymën e kushtetutshmërisë”, ka thënë ai.

Por, ka qytetarë që mendojnë se me taksë mund të shkarkohet komunikacioni në kryeqytet.

“Vendim i mirë dhe i mirëseardhur. Për shkak të komunikacionit është vështirësuar tepër dhe po na ngarkojnë qytetet tjera. Prishtina është bërë një bunar ku krejt po vijnë këtu. Ishim çliru pak sikur të ndaleshin atje. Autobusët do të ishin një zgjidhje e mirë, bile komunikacioni do të lirohej”, ka thënë Skender Shylemaja, banor i Prishtinës.

Qëndrimet për taksën prej 10 eurosh për të hyrë në Prishtinë, qytetarë dhe palë të interesuara mund t’i shprehin deri më 24 qershor, në adresat e dhëna në platformën e konsultimeve publike, ku Komuna e ka publikuar draftin me ndryshimet në Rregullore.

Related Articles