Pesë persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim për mashtrim dhe ‘falsifikim të vulave, stampave ose formularëve’ në Shqipëri.
Renato Nasto, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani dhe Xhemal Seseri u vunë në pranga, të cilët bashkë me Eduart Gjinin, të shpallur në kërkim, dyshohet se kishin krijuar një skemë për falsifikimin e të dhënave për marrjen e vizave amerikane.
Gjatë gjurmimit të profilit në Instagram “visa amerikane insider” ku jepej siguri 100% për t’u pajisur me vizë, hetuesit zbuluan se prapa fshihej Renato Nasto. Gjatë reklamimit në këtë faqe që numëron mbi 11.5 mijë ndjekës, Nasto gjente klientë, të cilëve u merrte nga 10 mijë euro pasi pajiseshin me vizë.
Nasto i ndihmonte ata që të falsifikonin formularët online të aplikimit për vizë, duke i plotësuar me të dhëna të rreme në mënyrë që të dilnin fitues, raporton TCH.
Ai i shoqëronte edhe gjatë intervistimit në konsullatë, ku i orientonte se si të përgjigjeshin.
Pas këtij aksioni reagoi edhe Ambasada Amerikane, që u bëri thirrje të gjithë aplikantëve për viza që të dorëzojnë aplikimet e tyre elektronike për vizë fizikisht dhe jo përmes “të ashtuquajturave” agjenci udhëtimi, konsulentëve të vizave ose kompanive të tjera që ofrojnë shërbime për viza.