Kosova tashmë ka nënshkruar dokumentin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zyrtarizimi i nisjes së kësaj procedure u bë në një ceremoni të mbajtur në zyrën e Osmanit ku firmat në dokument i hodhën e para e shtetit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Rreth hapit të parë të Kosovës për t’iu bashkuar familjes evropiane ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit serb ka thënë se “ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi ardhur te dokumenti i gjashtë shumë i rëndësishëm i BE-së nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut, për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. “, thotë ai.
“Dhe në dritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të Kosovës, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet që kanë sjellë vetë, qoftë edhe atë historik nga Selaniku, sepse në pikën 5 të dokumentit të Selanikut. thuhet se mbështet plotësisht zbatimin e Rezolutës 1244. Pra, pyetja ime sot është se cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht”, tha Vuçiq.