Policia spanjolle dhe ajo italiane kanë arrestuar në bashkëpunim 106 pjesëtarë të një bande e cila dyshohet se pastronte para për grupet mafioze dhe fitonte miliona euro përmes mashtrimeve në internet.
Shumica e anëtarëve të dyshuar janë italianë. Ky grup mashtronte shtetas të ndryshëm për të dërguar shuma të mëdha në llogaritë bankare spanjolle të kontrolluara nga ata. Këto para të zhvatura nga biznese dhe individë pastroheshin më pas përmes blerjeve të kriptomonedhës dhe rinvestoheshin në aktivitete të tjera kriminale.
Anëtarët e organizatës kishin arritur të depërtonin në disa banka dhe firma ligjore.
Gjatë operacionit, policia italiane dhe spanjolle ka sekuestruar 224 karta krediti, një plantacion me marihuanë dhe ka bllokuar 118 llogari bankare. Sipas Europol pjesëtarët e kësaj bande vepronin në ishullin Kanarie në Spanjë.
Të arrestuarit akuzohen për aktivitete të tjera kriminale si prostitucion, trafikim i armëve dhe lëndëve narkotike. Gjatë vitit të kaluar ky grup arriti të fitonte rreth 10 milionë euro përmes veprimtarive të jashtëligjshme.