Nga një fustan nate i veshur nga një e mbijetuar atëkohë që u mbyt anija oqeanike, deri te enët e gjetura në seksionin e klasit të parë, të gjitha këto janë gjetjet prekëse të anijes së fundosur më të njohur në botë.
Ato janë pjesë e një ekspozite të re gjithëpërfshirëse, që po hapet në Londër e cila hedh dritë mbi jetët që humbën në anijen fatkeqe.
Titaniku ishte anija më madhështore e kohës së tij dhe mendohej se kurrë nuk kishte shanse të fundosej, por në udhëtimin e tij të parë nga Southampton në Nju Jork në prill të vitit 1912, ajo goditi një ajsberg dhe u fundos, duke vrarë rreth një mijë e 500 pasagjerë, shkruan AP.
Mbi një shekull më vonë, Ekspozita Titanik është dëshmi e tërheqjes së qëndrueshme të një tragjedie nga e cila janë frymëzuar filma, muzikalë dhe libra.
Historiani Claes-Göran Wetterholm është kreu i ekspozitës dhe kaloi mbi 40 vjet duke studiuar historinë e fatkeqësisë së anijes.
Ai përshkruan disa nga mbi 200 objektet nga linja oqeanike që nuk janë parë kurrë më parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ato përfshijnë një ditar të mbajtur nga një pasagjer finlandez, si dhe një palë këpucë të veshura nga një vajzë e re që arriti të mbijetonte me familjen e saj, një nga të paktat që mbijetoi nga seksioni i klasit të tretë.
Të gjithë, përveç rreth 700 nga afërsisht 2 mijë e 200 pasagjerë dhe ekuipazhi vdiqën pasi anija goditi një ajsberg në vitin 1912./Gazeta Enigma/