Zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Njësia për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë (TiT) dhe trajnimin bazik për përdorimin e dronëve, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale.
Trajnimi është realizuar me mbështetjen e Projektit HAPE dhe është zhvilluar gjatë periudhës mars–prill, në dy faza, në Kampin e Njësive Speciale “Vrella”, pranë Aeroportit të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, faza e parë është fokusuar në përgatitjen akademike dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorë, ndërsa faza e dytë ka përfshirë trajnimin e trajnerëve dhe kandidatëve të rinj.
“Faza e parë, e mbajtur nga 23 deri më 27 mars, ka shërbyer si fazë përgatitore, duke u fokusuar në aspektin akademik dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorët e rinj”, thuhet në njoftim.
Ndërsa faza e dytë, sipas Policisë, është zhvilluar nga 13 deri më 24 prill dhe ka përfshirë trajnimet e avancuara për instruktorët e rinj.
Në total janë certifikuar 12 pjesëmarrës, prej të cilëve gjashtë kanë përfunduar trajnimin për trajnerë (TiT), ndërsa gjashtë të tjerë trajnimin bazik për përdorimin e dronëve.
“Gjashtë pjesëmarrës (pesë zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor) kanë përfunduar me sukses trajnimin e trajnerëve (TiT), duke fituar kompetencat e nevojshme për të zhvilluar trajnime të mëtejshme brenda institucioneve përkatëse”, thuhet më tej.
Policia ka vlerësuar se ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të brendshme trajnuese dhe zhvillimin e aftësive profesionale në përdorimin e teknologjisë së dronëve.
“Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të brendshme trajnuese dhe garanton qëndrueshmëri në zhvillimin e mëtejmë të aftësive profesionale në fushën e përdorimit të dronëve”, thuhet në njoftim.
Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për instruktorët francezë dhe Projektin HAPE për mbështetjen e ofruar.
“Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për instruktorët francezë për profesionalizmin dhe kontributin e tyre gjatë realizimit të këtij trajnimi, si dhe për Projektin HAPE për mbështetjen dhe mundësinë e ofruar”, përfundon njoftimi.
