Nënkryetari i bashkisë së portit jugor të rrethuar të Mariupolit thotë se nuk e di se sa njerëz janë vrarë në total në qytet, por shifra më e fundit është 1 mijë e 207.
Këto janë “vetëm trupa që i kemi mbledhur në rrugë”, tha Serhiy Orlov për “BBC”.
Ai tha se 47 persona ishin varrosur në një varr masiv pasi nuk ishte e mundur të arrihej në vendet e varrimit jashtë qytetit. “Jo të gjithë ata u identifikuan”, shtoi ai.
Orlov tha se nuk ka qenë e mundur të evakuohen njerëzit nga qyteti ose të sillen ndihma. Rreth 100 njerëz që përpiqeshin të iknin me makina private u detyruan të ktheheshin të mërkurën, tha ai, pasi forcat ruse në një pikë kontrolli filluan të qëllojnë “jo drejtpërdrejt në makina, por rreth makinave”.
Kjo është dita e 15-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Sipas OKB-së mbi 2.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.
Ndërsa 1 mijë e 300 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.