Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, për zgjedhjet të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Gjatë periudhës 122 ditore, nga 29 gushti deri më 28 dhjetor të këtij viti, për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, që është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
“Gjatë kësaj periudhe votesi mund ta kundërshtoë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet tutje në komunikatën e KQZ-së.
Lista Preliminare e Votuesve është publikuar në platformën elektronike të vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose në vegzën direkte http://qv.kqz-ks.org