Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Komuna e Prizrenit, në njoftimin dërguar mediave, tha se në këtë përvjetor të shënuar, ata përkujtuan themeluesit e shtetit shqiptar dhe theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërshqiptar, në të gjitha trojet.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, u vu në pah se uniteti kombëtar mbetet faktor kyç për zhvillim, paqe dhe stabilitet në rajon.
“Prizreni, si simbol i identitetit dhe bashkimit kombëtar, edhe një herë dëshmoi rolin e tij historik dhe bashkëkohor në rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët”, u tha në njoftim.