Qëndrim Januzi, i dyshuari kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni, në ditën kritike është plagosur nga një zyrtar policor me rroba civile. Ky i fundit është duke u hetuar për veprat penale; “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, me anë të një përgjigje me shkrim, ku thuhet se intervistimi i zyrtarit policor është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Ju njoftojmë se zyrtari policor është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, me autorizim nga Prokurori i Shtetit, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Suspendimi i zyrtarit policor është bërë nga ana e organeve komptente të Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së, ndërsa, sa i përket intervistimit, i njëjti është intervistuar nga ana e IPK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajt.
Pak ditë pas ngjarjes tragjike në Ferizaj, IPK njoftoi se lidhur me përdorimin e armës nga ana e zyrtarit policor janë ndërmarrë disa veprime hetimore. Ndër to ishte suspendimi i zyrtarit policor për 72 orë, por kjo masë u ndërpre pothuajse menjëherë.
Lidhur me ndërprerjen e kësaj mase, Inspektorati Policor i Kosovës i tha Gazetës Express se pasi u vlerësua suspendimi i tij për 72 orë dhe pas verifikimit të pamjeve filmike IPK ka vendosur që mos të rekomandoj vazhdimin e suspendimit.
“Për rastin në fjalë, fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi IPK-së që zyrtarit policor ti rekomandohet suspendimi për 72 orë deri në sqarim të rrethanave të rastit. Por pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandoj vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt sipas autorizimeve të Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Express.
IPK ka deklaruar se me t’u informuar për rastin e vrasjes dhe plagosjes të shtunën në Ferizaj, hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes, nga aty është bërë identifikimi i disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti.
Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, si i dyshuar kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni. Sipas ish-mbrojtjes së Januzit, avokatit Kastriot Zenuni seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aty ku po trajtohet i dyshuari.
Avokati Zenuni tha se i dyshuari ka qenë në gjendje të përgjigjej vetëm me “po” ose “jo”.
“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pyetje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni të dielën.
Ai shtoi se Qëndrim Januzi ka lëndime kryesisht në nofull.
Qëndrim Januzi, që në publik njihet si vëllai i reperit Buta, po mbahet në paraburgim nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e paraburgimit ndaj Januzit, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin”. Gjithashtu gjyqtari ka vlerësuar se në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.
Qëndrim Januzi dyshohet se shtiu me armë zjarri shtatë herë në drejtim të Gazmend Hysenit.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H., në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, me ç ‘rast që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të takuar tani të ndjerin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, ku si pasoj e të shtënave nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.