Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit janë duke u trajtuar 15 pacientë me COVID-19, të cilë janë në gjendje stabile, raporton Gazeta Enigma.
Kështu bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, në të cilën Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, këtë të premte ka mbajtur takimin e radhës të udhëhequr nga nënkryetari, Arbër Ismajli, për vlerësimin e situatës për këtë javë.
Ismajli bëri të ditur se aktualisht po trajtohen 15 pacientë në Spitalin e Përgjithshëm dhe fatmirësisht gjendja e tyre është stabile.
Në emër të Komitetit, Ismajli ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë t’i respektojnë masat deri në vaksinimin e plotë të popullatës.
Ndryshe, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 21191 mostra, 6401 kanë rezultuar pozitivë, 6215 janë shëruar, 146 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 40 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 15 persona, dhe 71 mostra në pritje për rezultat.