Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur që një periudhë të caktuar në Malishevë është arrestuar një 24-vjeçar, i cili dyshohet për dhunimin e një vajzë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.Th, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimet se ka kryer marrëdhënie seksuale që më shumë se një vjet me vajzën e mitur.
Sinjali mëson se gjithçka u zbulua pasi viktima, e moshës 15-vjeçare vendosi ta denoncojë të dyshuarin, për sulmin ndaj saj, që dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh. Në deklaratën e dhënë në Polici, vajza zbuloi detaje tronditëse, se si ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin që nga mosha 14-vjeçare.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari që nga fillimi ka qenë në dijeni për moshën e viktimës, por me të njëjtën ka vazhduar lidhjen e dashurisë, duke i premtuar vajzës se do të martohet me të.
Por gjithçka mes tyre ndryshoi, pasi ai dyshohet se nisi të ushtrojë dhunë mbi vajzën. Viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, rast ky që e shtyi ta njoftojë Policinë për krejt çka ka ndodhur mes tyre.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij dhe e ka pranuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij të mitur.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi” dhe “Sulmi”.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.