15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues certifikohen pas trajnimit në Danimarkë

15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues certifikohen pas trajnimit në Danimarkë

15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) kanë përfunduar me sukses një trajnim profesional në Danimarkë, duke u certifikuar në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Kopenhagë.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, dhe kryeinspektori Muamer Bikliqi. Të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoresha e Shërbimit danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy shtetet.

Gjatë fjalës së tij, Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në sistemin korrektues danez. Ai e cilësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, të ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.

Zëvendësdrejtori i SHKK-së vlerësoi gjithashtu marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm, që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit.

Hoti shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk përfaqëson fundin e një procesi, por fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit, i cili kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe angazhim të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues nga Kosova për përfundimin e suksesshëm të trajnimit, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Ai falënderoi gjithashtu stafin danez për angazhimin dhe mikpritjen, duke nënvizuar se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se në të ardhmen pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimet.

Trajnimi gjashtëmujor mbi sistemin korrektues danez u vlerësua për standardet e larta profesionale, ku zyrtarët kosovarë treguan disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm në çdo fazë, duke përvetësuar njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë më tej kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Related Articles