Nisma Socialdemokrate ka reaguar ashpër ndaj një postimi të para disa viteve që kishte bërë Hekuran Murati, tani ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.
Sipas kësaj partie, Murati kishte thënë se më lirë do të na kushtonin mercenarët sesa UÇK-ja.
“Deklarata e ministrit të financave Hekuran Murati se; “më lirë do të na kushtonin mercenarët sesa UÇK-ja” është skandal i rëndë dhe si i tillë është i pafalshëm për një bartës të një funksioni publik. Një deklaratë e tillë nga një zyrtar i lartë qeveritar fyen rëndë vuajtjet e shekullore të popullit shqiptar! Fyen rëndë mijëra dëshmorë dhe martirë të cilët dhanë jetën për çlirimin e vendit! Fyen rëndë çdo luftëtar të UÇK-së. Fyen rëndë qindra fëmijë të vrarë në mënyrë mizore nga barbaria serbe! Fyen rëndë mbi 20 mijë gra e vajza të dhunuara gjatë luftës! Fyen rëndë lirinë e vendit”, thuhet në reagimin e Nisma’s Socialdemokrate.
Sipas partisë që udhëhiqet nga Fatmir Limaj, ky tip mercenari nuk e kupton dot vlerën e lirisë as si koncept e as si realitet.
“Lufta e UÇK-së është vlera më e çmueshme dhe themeli i lirisë së vendit. Liria nuk është pazar, siç e sheh mercenari, Hekuran Murati”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Prandaj, NISMA Socialdemokrate kërkon dorëheqje të menjëhershme të Hekuran Muratit nga posti i Ministrit të Qeverisë së Kosovës si dhe distancim publik të Kryeministrit Albin Kurti nga kjo deklaratë skandaloze.