Në hyrje të objektit të qeverisë së Kosovës janë vendosur 17 flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Arlind Ymeri nga shoqëria civile e ka dhënë shpjegimin se pse këta flamuj dhe pikërisht ky numër i tyre janë vendosur para ndërtesës së qeverisë.
“Arsyeja pse i kemi vendosur 17 flamuj ka të bëjë me datën e pavarësisë 17 shkurtin në shenj shenjë falënderimi fillimisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e tyre për pavarësimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri për Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Arsyeja tjetër pse ne i kemi vendosur flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është për t’ia rikujtuar qeverisë dhe deputetëve të parlamentit të Kosovës që të mos devijojnë nga korniza e shteteve të bashkuara të Amerikës dhe të pranojnë marrëveshje franko-gjermane apo çfarëdo marrëveshje tjetër e cila është në dëm të Republikës së Kosovës dhe e cila cenon sovranitetin territorial të republikës”.
“Sepse institucionet e Kosovës e kanë pranuar një marrëveshje të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila është ratifikuar në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendimin edhe të Gjykatës Kushtetuese për formimin e një asociacioni në formë OJQ-je pa kompetenca ekzekutive. Prandaj, meqenëse ekziston kjo marrëveshje, ne mendojmë që duhet të refuzohet çfarëdo marrëveshje tjetër e cila është jashtë kornizave dhe jashtë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.