19 vjet e 6 muaj burg për nipin që vrau axhën në Malishevë

19 vjet e 6 muaj burg për nipin që vrau axhën në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor të pandehurin B.B. për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ai është dënuar me një dënim unik prej 19 vjet e 6 muaj burgim.

Ngjarja ka ndodhur më 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Komunës së Malishevës, ku i pandehuri B.B. me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij, S.B., pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore. Viktima po zhvendoste një sasi me beton në rrugicën e përbashkët të shtëpive. Pas një përplasjeje verbale, B.B. kishte marrë një pistoletë gjysmë-automatik të tipit “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të viktimës, përfshirë edhe tri herë në kokë, duke e lënë atë pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij.

Gjykata kishte konfiskuar armët që i pandehuri mbante, përfshirë pistoletën me karikator, një pushkë gjahu “Huglu” me dy tyta, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të tjera të ndërlidhura me rastin.

Nga dënimi total do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 28 prilli 2023.

Në vitin 2024, B.B. ishte dënuar me 21 vjet burgim, por në tetor të atij viti, Apeli e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Related Articles