Në komunën e Likovës është shënuar 20 vjetori i fillimit të luftimeve të UCK-së.
Për homazhe tek varrezat e dëshmorëve, është parë kreu i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti.
Pavarësisht kësaj vizite banorët shprehen të zhgënjyer me BDI-në dhe partitë e tjera politike shqiptare të cilat nuk arritën të krijojnë vende të reja të punës.
Sipas tyre mungesa e perspektivës ka bërë që të rinjtë shqiptar ta braktisin vendlindjen.
“As për të pasur, kurrë hiç. Me këto politikanë që i kemi a? As për tu zgjidhur bilës jo. Me këtë Qeveri që e kemi e me këto parti tona shqiptare që i kemi as kurrë për tu zgjidhur bilës. Ku janë politikanët tonë, ku janë tu i shfrytëzuar, veç për xhepin e vetë, për popull as që u interesojnë hiç, hiç. Mos shko më larg, ku e kemi rininë, ku ka ikur rinia, për çfarë aspekti ka ikur. Për shkak të kushteve të ekonomisë, nuk ka as ekonomi as asgjë” ka thënë njëri prej banorëve.
Kurse banori tjetër thotë se tash e 20 vite në Maqedoni gjendja nuk ka ndryshuar. “Kemi pasur që 20 vite edhe asgjë nuk është bërë deri më tani. Jo asgjë nuk është bërë”
Kurse Ylber Osmani, familjar i dëshmorit Remzi Osmani, tek shtëpitë e të cilëve UÇK ka pasur edhe shtab thotë se politikanët vijnë vetëm në kohën kur përkujtohen dëshmorët dhe se nuk merren me problemet e tyre. “Veç për zgjedhje vijnë, për kështu jo. Do të thotë kur është vendosur në vitin 2010 pllaka edhe më nuk kanë ardhur që atëherë, as Ali Ahmeti” tha Osmani. (Alsat)