Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.
Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në qytetin e Pejës, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Adem Jashari’ ka ndalur për kontroll një 21-vjeçar.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri bashkë me fishekë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“