21-vjeçarit në azil, Eroll Murati ia zhvat 12 mijë franga

21-vjeçarit në azil, Eroll Murati ia zhvat 12 mijë franga

Pak orë pas transmetimit të hulumtimit të Kiks Kosovës, për mashtrimet e Eroll Muratit me pasaportat sllovene, dhjetëra qytetarë kanë filluar ta telefonojnë atë, duke i kërkuar mbrapa paratë e tyre.

Këngëtari gjilanas, ndaj të cilit rendojnë 2 aktakuza për mashtrim dhe një rast tjetër është në fazën e hetimeve, duket se nuk e ka ndalur asnjëherë veprimtarinë mashtruese për gjoja shitjen e pasaportave sllovene.

Kjo dëshmohet në disa audio incizime, që i ka siguruar Kiks Kosova.

Në të njëjtat audio, Murati e nxjerr vetën të zbuluar, pasi në tentimin e tij për të blerë kohë deri në kthimin e parave, vlera e të cilave mund të shkojë në qindra mijëra euro, ai shkarazi përmend emisionin Kiks Kosova.

Ashtu siç kishte shkruar në kërcënimin që e dërgoi drejt gazetarëve të Kiks Kosovës, të njëjtën gjë ia  thotë edhe klientit që e kishte mashtruar, se gjoja ai posedonte 50 dëshmi e që vërtetonin situatën, në të cilën ndodhet tani.

Murati, pa e ditur se tashmë ish-klientët e tij ishin shndërruar në sinjalizues të Kiksit dhe po i xhironin bisedat e tij, ai tenton t’u hedhë hi syve, duke dashur të njollosë punën e emisionit.

Pretendimi i tij ishte se gjoja hulumtimi për mashtrimet me pasaportat paska ardhur si pasojë e shantazhit nga ne, apo siç do ta quante ai vetë “zhantazhit”.

Këto dëshmi dhe qindra të tjera kanë ardhur në adresë të Kiks Kosovës, nga qytetarë të shumtë të cilët kishin një kërkesë të përbashkët që Eroll Muratin ta raportonin në Policinë e Kosovës.

Të njëjtën kërkesë e pati dhe 21-vjeçari nga Shtimja, i cili që shumë kohë jeton në të zezën në shtetin zviceran dhe në tentimin e tij për të rregulluar dokumentet, ia kishte dhënë Eroll Muratit 12 mijë franga zvicerane, në vitin 2021.

Letrat zvicerane assesi, por as pasaportën nuk e pa kurrë, pasi Eroll Murati e mashtroi atë, bashkë me bashkëpunëtorin e tij S.D.

Xhaxhai i të riut ia kishte dhënë Muratit 12 mijë franga me idenë që pas 12 ditëve do të merrte pasaportën sllovene, por jo që pasaportën nuk e pa kurrë, por as paratë nuk po arrinin t’i kthenin as pas dy vjetësh.

Megjithatë, djaloshi u tregua i kujdesshëm duke incizuar çdo telefonatë që pati me Erollin, në të cilat kryesisht flasin për kërkesat e tij për të shtyrë kthimin e parave që ia kishte zhvatur.

Madje, në një nga mesazhet që ia kishte dërguar, Eroll Murati i kishte thënë të riut se nëse nuk do të arrinte t’ia kthente paratë, do t’ia jepte një golf 7 me vlerë prej 16 mijë euro.

21-vjeçari ka kërkuar nga Kiks Kosova ta ndihmojë që rastin ta hapë si kallëzim penal në Policinë e Kosovës, pasi kur ai ka tentuar ta lajmërojë Eroll Muratin për mashtrim, ata i kanë thënë për kallëzim ndaj dikujt duhet të shkojë fizikisht në stacionin më të afërt policor.

Por problemi qëndron pikërisht këtu, ai punon pa letra në shtetin helvetik.

Related Articles