22 migrantë vdesin pranë bregdetit grek pas gjashtë ditësh në det

22 migrantë vdesin pranë bregdetit grek pas gjashtë ditësh në det

Njëzet e dy migrantë kanë vdekur pranë bregdetit të Greqisë pasi kaluan gjashtë ditë në det me një gomone në drejtim të Evropës, ka njoftuar roja bregdetare greke.

Njëzet e gjashtë të mbijetuar, përfshirë një grua dhe një fëmijë, u shpëtuan nga një anije e agjencisë evropiane të kufirit të premten. Dy prej tyre u dërguan në spital në Heraklion, në ishullin e Kretës, raporton BBC,

Varka me migrantë ishte nisur nga porti i Tobrukut në lindje të Libisë më 21 mars, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP, duke cituar një zëdhënës të rojës bregdetare. Moti i keq dhe mungesa e ushqimit dhe ujit kontribuan në vdekjet, ka thënë roja bregdetare.

Greqia, së bashku me Italinë, pranon një numër të madh migrantësh të parregullt përmes Mesdheut, shpesh nga Turqia dhe Afrika Veriore.

Shumë nga këto kalime ndodhin gjatë verës, kur ka më pak gjasa për mot të keq.

“Gjatë udhëtimit, pasagjerët [e gomones] humbën orientimin dhe qëndruan në det për gjashtë ditë pa ujë dhe ushqim,” tha roja bregdetare greke.

Varka u ndal përfundimisht 53 milje detare larg Ierapetrës, një qytet në bregdetin jugor të Kretës.

Autoritetet greke thanë se dy burra nga Sudani i Jugut, të moshës 19 dhe 22 vjeç, janë arrestuar nën dyshimin për trafikim njerëzish.

Ata tani janë nën hetim për “hyrje të paligjshme në vend” dhe “vrasje nga pakujdesia”

Roja bregdetare tha se 21 nga të mbijetuarit janë nga Bangladeshi, katër nga Sudani i Jugut dhe një nga Çadi.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatë, UNHCR, të paktën 41,696 persona mbërritën në Greqi me rrugë detare në vitin 2025. Më shumë se 4,000 kanë mbërritur deri tani këtë vit.

Por udhëtimi mund të jetë i rrezikshëm, sidomos në mot të keq, ndërsa kontrabandistët shpesh i mbingarkojnë varkat pa furnizime të mjaftueshme apo jelekë shpëtimi.

Të paktën 103 persona konsiderohen të vdekur ose të zhdukur në Mesdheun lindor në vitin 2025, sipas të dhënave të UNHCR.

Në dhjetor, 17 migrantë u gjetën të vdekur brenda një varke që po mbushej me ujë dhe ishte fundosur pjesërisht pranë bregdetit të Kretës.

Related Articles