Të paktën 23 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore dhe të shtënave me armë zjarri nga forcat izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi të shtunën Agjencia e Mbrojtjes Civile në këtë territor palestinez të goditur rëndë nga lufta.
“Së paku 23 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën (në spitale) pas zjarrit dhe bastisjeve izraelite”, deklaroi për agjencinë franceze AFP zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal.
Sipas tij, gjashtë sulme ajrore të realizuara nga dronë ose avionë luftarakë goditën një shtëpi në Jabalia, në veri të Gazës, duke lënë të paktën 21 të vrarë, përfshirë tre fëmijë. Dy persona të tjerë humbën jetën pasi u qëlluan me armë zjarri ndërsa prisnin për ndihma ushqimore në zonën Netzarim, në pjesën qendrore të territorit.
Për shkak të kufizimeve të rrepta ndaj mediave dhe vështirësive të qasjes në terren, AFP nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto raportime.
Pas një armëpushimi të përkohshëm me Iranin, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, ka deklaruar se Izraeli do të “ripërqendrohet në Gaza me qëllim kthimin e pengjeve dhe çmontimin e regjimit të Hamasit”.