Këtë të shtunë në Kosovë janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive, ndërsa 12 janë lokalizuar dhe janë nën kontroll, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas raportit të fundit nga Qendrat Operative 112 dhe Qendra Operative e Agjencisë, situata po menaxhohet në mënyrë të koordinuar me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët janë angazhuar intensivisht për të lokalizuar dhe shuar zjarret.
Agjencia ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke i ftuar ata të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193, 192.
“Të gjithë qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin masa parandaluese për të shmangur shpërthimin e zjarreve. Çdo vatër zjarri duhet raportuar menjëherë në numrat 112, 193, 192”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.