Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Janjevë të Lipjanit, ku ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar në Polici një 23-vjeçar, i cili ka pohuar se pas një konflikti verbal me punëtoren e një furre buke, bashkëshorti i saj bashkë me dy persona tjerë e kanë sulmuar fizikisht.
Si pasojë e kësaj, i riu ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
I dyshuari kryesor për sulmin është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa dy personat tjerë që dyshohet se u përfshinë në ngjarje janë në arrati.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 32-vjeçari të dërgohet në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Sulm, por në ndalim policor ka përfunduar edhe vetë denoncuesi i rastit, pasi i njëjti ka kërcënuar hapur të dyshuarin e parë dhe bashkëshorten e tij, se nuk do t’ua falë kurrë. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.