24 vjet burg ndaj të dënuarit për vrasjen në diskotekë, ndodhi në vitin 2010

24 vjet burg ndaj të dënuarit për vrasjen në diskotekë, ndodhi në vitin 2010

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 24 vitesh burgim ndaj të dënuarit për vrasjen në diskotekën “City Club” në Pejë, Granit Elshani.

Elshani është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 24 vite burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh..

Kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar ankesë Prokuroria Speciale, për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ndaj Elshanit të shqiptohet një dënim më i rëndë.

Ndërkaq, mbrojtja ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave, duke propozuar që i akuzuari të lirohet nga akuza ose lënda të kthehet në rigjykim.

Në aktgjykimin e 29 tetorit 2022, thuhet se Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve të akuzuarit, avokatëve Kosovare Kelmendi dhe Bujar Berdynaj kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

“Me aktgjykimin e shkallës së parë dhe gjatë procedurës nuk janë bërë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as në dëm të pandehurit nuk është shkelur ligji penal, për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

Tutje, sipas këtij vendimi, gjykata e shkallës së parë dënimin shumëvjeçar me burgim e ka shqiptuar në kufijtë e përcaktuar me ligj si dhe ka vlerësuar drejtë të gjitha rrethanat e përgjithshme, të veçanta, lehtësuese dhe rënduese të cilat referohen në matjen e llojit dhe lartësisë së sanksionit penal ndaj të akuzuarit Elshani.

Gjithashtu, thuhet se Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike dhe në bazë të kësaj është aplikuar drejt ligji.

Në vendim, ndër të tjera thuhet se janë të pabazuara pretendimet ankimore të avokatëve se është tejkaluar aktakuza si dhe për vërtetimet e veta gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyet përkatëse të cilat i pranon edhe Gjykata e Apelit dhe në të cilat udhëzon.

Ndryshe, kjo lëndë ishte transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vite burgim, Granit Elshanit.

Elshani ishte shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.

Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të Granit Elshanit, avokatit Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, Granit Elshani kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj.

Related Articles