25 ushtarë të KFOR-it u lënduan pasi ndërhynë për t’i shpërndarë protestuesit në Zveçan 

25 ushtarë të KFOR-it u lënduan pasi ndërhynë për t’i shpërndarë protestuesit në Zveçan 

KFOR-i ka njoftuar se 25 ushtarë të këtij misioni janë plagosur në Zveçan gjatë protestave nga qytetarët serbë.

Përmes një përgjigje për Kohën, KFOR-i ka thënë se pasditen e sotme njësitet e KFOR-it janë dislokuar në 4 komunat e veriut të Kosovës për të frenuar demonstratat e dhunshme që ndodhën pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të ushtrojnë detyrën nga ndërtesat e kuvende komunale.

Gjatë protestave, KFOR-i ka thënë se disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara.

Sipas këtij misioni, ushtarët kanë pësuar thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kanë marrë djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.

KFOR-i ka thënë se ata kanë marrë trajtim mjekësor të menjëhershëm nga njësitet mjekësore të KFOR-it dhe aktualisht janë nën vëzhgim të ekipeve mjekësore.

“Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës dhe shpreh keqardhjen e tij për burrat dhe gratë e misionit të lënduar gjatë përleshjeve. Ai theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme” ka thënë KFOR-i për Kohën.

VIDEO

Related Articles