Derisa Gjykata refuzon të përgjigjet se si e liroi për pesë herë me radhë 15 vjeçarin, një përgjigje për këtë ka babai i të miturit.
Në një intervistë për Kiks Kosovën, ai ka deklaruar se ai vetë ka kërkuar lirimin e të birit dhe thotë se do të vazhdojë të kërkojë një gjë të tillë, pasi që pretendon se P.K. vuan nga problemet mendore.
Ani pse e mohon se i biri i tij ka kryer ndonjë vepër penale, ai e pranon se 15-vjeçari kishte dërguar shumë herë në shtëpi gjësende të vjedhura, të cilat thotë se i ka dorëzuar në Polici.
Megjithatë, ai nuk e lë fajtor për asgjë të birin. Sipas tij, prapa të gjitha këtyre veprave fshihet një person i dytë, për të cilin thotë se manipulon me 15-vjeçarin.
Madje, ai shprehet i bindur se i biri tij nuk është përfshirë as në rastin e dhunimit të 14-vjeçares, për çka ndodhet në paraburgim momentalisht, duke e akuzuar viktimën se është në gjendje të njëjtë si i biri i tij.
Ndonëse e pranon se dhunimi seksual është vepër e rëndë dhe rasti është i ndjeshëm, ai sërish insiston në pafajësinë e të birit, duke aluduar se ekspertiza për këtë rast do të manipulohet.
Kiks Kosova ka pyetur Gjykatën Themelore në Prishtinë se sa herë ka urdhëruar ekzaminimin psikiatrik për të miturin, por nuk ka pranuar përgjigje.