28 vjeçari nga Kosova gjykohet në Zvicër, fitoi 1 milion franga me prostitucionin e “të dashurave” të tij
Zyra e prokurorit publik kërkon nga gjykata e Solothurnit dhjetë vjet e gjysmë burg dhe më pas dëbim nga Zvicra për kosovarin 28 vjeçar
Dashuria e madhe e premtuar u shndërrua në varësi dhe prostitucion të detyruar. Një djalë, i ashtuquajtur “Loveboy” duhej të përgjigjej në Gjykatën e Qarkut në Solothurn të premten, transmeton albinfo.ch. Ai akuzohet për trafikim të qenieve njerëzore, promovim të prostitucionit dhe detyrim seksual.
Për disa vite ai ka marrë vajza të reja në të gjithë Zvicrën për të mbledhur para për vete përmes shërbimeve të seksit që i detyronte ato të ofronin.
Në aktakuze thuhet se ai ka fituar rreth një milion franga përmes mashtrimit. Ka shumë viktima.
28-vjeçari nga Kosova ndodhet në paraburgim që nga korriku i vitit 2020, shkruan Zolothurner Zeitung. Ai akuzohet se ka përfituar nga gratë. Konkretisht, ai i ka bërë gratë të varura emocionalisht dhe i ka shtyrë ato të prostituohen për të.
Drama për viktimën kryesore të të akuzuarit fillon në verën e vitit 2016. Një vajzë 16-vjeçare nga rajoni i Solothurnit takon një burrë 22-vjeçar përmes një aplikacioni chat, transmeton albinfo.ch. Ai duket se i jep asaj atë që i mungon: dashuri, pranim dhe mirëkuptim, përcjell albinfo.ch. Por ajo që duket si dashuri e madhe është vetëm shtirje.
Sipas aktakuzës, ajo që i akuzuari dëshironte në të vërtetë ishte të shfrytëzojë pa mëshirë dobësitë e adoleshentes në favor të tij.
Avokatja e viktimës, Eveline Roos thekson se klientja e saj në veçanti do të bartë pasoja për një kohë të gjatë nga ky trajtim.
“Klientja ime duhej të paguante daljen e saj nga ky prostitucion duke dhënë gati një çerek milioni. Nëna e saj vdiq në rrethana tragjike në atë kohë, kështu që ajo trashëgoi para nga nëna e saj – dhe të gjitha paratë shkuan për të akuzuarin, kështu që ajo nuk kishte më nevojë të prostituonte për të”.
Deklaratat e viktimës janë të besueshme dhe janë konfirmuar nga korrespondenca në email si dhe skedarët e gjetur në një smartphone, tha prokurori.
Pothuajse 80 faqe aktakuzë, por autori i dyshuar nuk i ka komentuar pretendimet në gjyqin të premten.
Zyra e prokurorit publik kërkon nga gjykata e qarkut Bucheggberg-Wasseramt dhjetë vjet e gjysmë burg dhe më pas dëbim nga Zvicra.
Vendimi pritet të martën.