Në periudhën janar-prill të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 29 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
Këto statistika shqetësuese tregojnë se gazetarët vazhdojnë të përballen me sfida serioze gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Të dhënat e publikuara nënvizojnë nevojën për veprim institucional dhe shoqëror për të garantuar një mjedis të sigurt për mediat.
Gazetarët duhet të lejohen ta kryejnë punën e tyre lirshëm dhe pa pengesa, në interes të publikut dhe demokracisë.
Sipas Reporterët pa Kufij, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ritheksuar përkushtimin e saj për monitorimin e situatës dhe avokimin për sigurinë e gazetarëve, duke bërë thirrje për hetim të shpejtë dhe efikas të çdo rasti të raportuar.