30 ditë paraburgim ndaj policit të dyshuar për keqtrajtim të qytetarit në Prizren

30 ditë paraburgim ndaj policit të dyshuar për keqtrajtim të qytetarit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor Remzi Pulaj, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim të rëndë trupor.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit mund të zgjasë deri më 15 korrik 2025.

Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresat e lëndës dhe provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e e paraburgimit është e bazuar.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke u mbështetur nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

“Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së pandehurit në fazën hetimore, pasi që është faza fillestare e hetimit, dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë , kështu do të pengonte dhe vështirësonte sigurimin e provave në fazën hetimore. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të verpave penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer veprat penale, ashtu që me sjelljet e tij dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore në dëm të shoqërisë, ku me rastin e arrestimit të të dëmtuarit në këtë proces S.F.,  e ka keqtrajtuar ku me rastin e goditjeve në regjionin e kokës, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, të gjitha këto e bindin Gjykatën se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i nevojshëm”, thuhet në njoftim.

Me këto, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurën hetimore, dhe rrjedhës së pa penguar të fazës hetimore.

Related Articles