30-vjeçarja e zhdukur nga Durrësi gjendet pas 9 ditësh, mbahej peng në një dhomë hoteli

30-vjeçarja e zhdukur nga Durrësi gjendet pas 9 ditësh, mbahej peng në një dhomë hoteli

Është gjetur nga policia, pas 9 ditësh 30-vjeçarja me iniciale E.D., nga Durrësi. Sipas Policisë, ajo ishte marrë peng nga 32-vjeçari Marjus Musaku, nga Lushnja, i cili sipas saj e ka përdhunuar dhe e ka kërcënuar me thikë. Ai u arrestua nga Policia pas kallëzimit të 30-vjeçares dhe bashkëshortit të saj.



Nëna e dy vajzave humbi kontaktet me familjarët të hënën e 25 korrikut në orën 08:00, dhe që nga ajo ditë, familjarët dhe të afërmit nuk mundën të lidhen me të, ndërsa bashkëshorti i saj bëri denoncimin në polici.

Njoftimi i Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një hotel, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./A2

Related Articles