Të paktën 36 persona janë vrarë gjatë dhjetë ditëve të fundit të protestave në të gjithë Iranin, sipas një grupi të të drejtave të njeriut.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në vende të huaja, ka raportuar se 34 nga të vrarët e konfirmuar ishin protestues, ndërsa dy ishin të lidhur me forcat e sigurisë. Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një numër zyrtar të të vdekurve, por kanë bërë të ditur se tre persona nga stafi i sigurisë janë vrarë.
HRANA ka raportuar gjithashtu se më shumë se 60 protestues janë plagosur dhe 2,076 të tjerë janë arrestuar gjatë trazirave, të cilat u shkaktuan nga një krizë ekonomike dhe u përhapën në 27 nga 31 provincat e vendit.
Të martën në mbrëmje, media gjysmëzyrtare iraniane raportoi se një polic u qëllua për vdekje gjatë trazirave në Malekshahi, në provincën perëndimore të Ilam, ku protestat ishin të gjera dhe shtypja nga forcat e sigurisë e dhunshme.
Forcat e sigurisë janë filmuar duke përdorur gaz lotsjellës gjatë përleshjeve me protestuesit, të cilët brohorisnin slogane kundër sundimtarëve klerikalë në Pazarin e Madh të Teheranit.
Protestat filluan më 28 dhjetor, kur dyqanxhinjtë dolën në rrugët e kryeqytetit për të shprehur zemërimin e tyre për rënien e ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me ndërhyrje amerikane nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues paqësorë.
Ndërkaq, të nesërmen, udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili mban pushtetin përfundimtar, deklaroi se “rebelët duhet të vendosen në vendin e tyre” dhe u zotua të mos “i nënshtrohet armikut”.
