372 raste për korrupsion e 351 për krime ekonomike u ngritën gjatë vitit 2021

372 raste për korrupsion e 351 për krime ekonomike u ngritën gjatë vitit 2021

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, në një konferencë për media ka treguar për performancën e këtij institucioni gjatë këtij viti.

Maloku ka thënë se gjatë vitit 2021 janë ngritur 372 raste për korrupsion, ndërsa janë zgjidhur 285 prej tyre, pra 77 për qind. Sa i përket krimeve ekonomike ai ka thënë se janë ngritur 351 raste e janë zgjidhur 341 prej tyre, pra 97 për qind.

“Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit e krimeve ekonomike”, tha Maloku në konferencën vjetore.

Ai ka folur edhe për përplasjet me Ministrinë e Drejtësisë, duke shtuat se janë munduar të gjejnë gjuhë të përbashkët për reformën në drejtësi.

“Është fakt që kemi pasur fërkime me Ministrinë e Drejtësisë, për shkak të një deklarate të zv.ministrit. Kemi menduar që kanë qenë një deklaratë e pa përgjegjshme e cila i ka irrituar kolegët. Ne jemi munduar të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe kemi marrë pjesë në shumë grupe punuese që ka të bëjë me reformën ligjore në sistemin e drejtësisë”.

Maloku ka folur edhe për procesin e vettingun ku ka thënë se kanë marrë pjesë në hartimin e koncept-dokumentit.

“Kemi kontribuar në hartimin e koncept dokumentin për vettingun. Kemi hapur konkursin për prokurorë. Kemi avancuar 19 prokurorë në departamentin e krimeve të rënda. Gjatë vitit që po lemë pas kemi pranuar 15 kërkesa për hetim disiplinorë të prokurorëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm është më i larti që kanë pasur ndonjëherë.

“Buxheti për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vitin 2021, pas rishikimeve buxhetore ishte 12 milionë 704 mijë 567 euro. Deri më tani Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar mbi 98% të buxhetit total për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore. Buxheti i Këshillit i miratuar për vitin 2022 është 17 milionë e 144 mijë e 178 euro, e që është buxheti më i lartë që ka pasur sistemi prokurorial por as për këtë vit nuk është miratuar plotësisht sipas kërkesave dhe nevojave tona”./Gazeta “Enigma”/

Related Articles