Abdixhiku në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë

Abdixhiku në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së: Sakrifica e familjes Jashari, themeli i lirisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se sakrifica e familjes Jashari, është unike, e përjetshme dhe themel i lirisë, raporton Gazeta “Enigma”.

“Sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës, prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë. Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar”, thuhet në postim.

Përmes një postimi në Facebook ai ka shtuar se përkujtimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është kujtimi i përpjekjes së popullit tonë për liri.

“Pra të kujtosh e shënosh përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës, si dhe përpjekjes së popullit tonë për liri. Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri dhe çlirim”.

“Në këtë ditë, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me krenari dhe nder, të gjithë fëmijët, gratë e burrat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anë e kënd Kosovës”. /Gazeta Enigma/

Related Articles