Turqi: Lirohen gazetarët e arrestuar në protestat për Imamoglun

Turqi: Lirohen gazetarët e arrestuar në protestat për Imamoglun

Një gjykatë turke ka liruar të enjten gazetarin e Agence France-Presse (AFP), Yasin Akgul, dhe gjashtë gazetarë të tjerë, të arrestuar këtë javë.

Gazetarët ishin arrestuar teksa po mbulonin protestat masive për burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Arrestimi nën akuzat për korrupsion të rivalit kryesor politik të presidentit, Tajip Erdogan, ka shkaktuar demonstratat më të mëdha antiqeveritare mbarëkombëtare në më shumë se një dekadë dhe po ashtu në arrestime të shumta.

Të martën, një gjykatë kishte vendosur në paraburgim shtatë gazetarë, duke përfshirë Akgul të AFP-së, për pjesëmarrje në marshime të paligjshme dhe “refuzim për t’u shpërndarë pavarësisht paralajmërimit gjatë një demonstrate”, tregonte një dokument gjyqësor i parë nga Reuters, transmteon Gazeta Enigma.

Erdogan i ka cilësuar protestat si një “shou” dhe ka paralajmëruar për pasoja ligjore kundër atyre që marrin pjesë, ndërsa opozita kryesore CHP ka bërë thirrje që protestat të vazhdojnë deri në lirimin e Imamoglut.

Opozita, vendet perëndimore dhe grupet e të drejtave kanë thënë se rasti kundër Imamoglut, i cili kryeson Erdoganin në disa sondazhe, është një veprim i politizuar për të eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura. /Gazeta Enigma

Related Articles