Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në kryeqytet, ku një 42-vjeçar ka shkaktuar panik, duke përplasur tre automjete të policisë dhe duke u ndjekur në rrugët e Tiranës nga forcat e rendit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja nisi pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku i dyshuari qëlloi me një armë lodër (pistoletë me gogla) në drejtim të një mjekeje, duke e goditur në gjymtyrët e poshtme.
Pas incidentit, ai tentoi të largohej me makinë nga ambientet e spitalit. Policia ndërhyri menjëherë, por personi refuzoi të ndalonte, duke nisur një ndjekje të rrezikshme në qytet.
Gjatë arratisë, 42-vjeçari përplasi tre automjete të policisë, duke rrezikuar jetën e efektivëve të përfshirë në operacion.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai është ndaluar dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e autoriteteve për hetime të mëtejshme.