Gjykata në Dietkon të Zvicrës ka dënuar me burgim prej 43 muajve një kosovar për një aksident që shkaktoi me veturën e tij Ferrari më 29 maj të vitit 2021, raporton “Limmattaler Zeituing”.
Kosovari 23-vjeçar kishte shkatërruar plotësisht Ferrarin e tij kur kishte dal nga rruga në Dietkon. Ai kishte tentuar të frenonte për 150 metra, por u përplas me veturë më pas.
Gjykata ka vendosur ta dënojë me burgim kosovarin për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit.
“Kishit njëmijë engjël mbrojtës. E gjithë të tjerët gjithashtu. Ishte një rastësi që nuk vinte asnjë autobus dhe nuk kishte asnjë fëmijë në trotuar”, tha gjykatësja Fabienne Moser-Frei.
Shkelja e parë ishte kur kosovari, që kishte një dënim, vendosi të drejtonte makinën në Dietkon atë ditë. Ai kishte vozitur me rreth 200 kilometra në orë në autostradë pranë Kemptthalit. Të dhënat kompjuterike në Ferrari tregojnë se shpejtësia ishte 215 kilometra në orë.
Avokati mbrojtës i kosovarit tha se ato të dhëna në Ferrari nuk janë pajisje matëse. Mirëpo, gjatë seancës dëgjimore, është thënë se vet kosovari e ka pranuar se ishte duke vozitur mbi 200 kilometra në orë.
Pjesërisht fajtor për aksidentin e shkaktuar po llogaritet edhe shoferi i një BMW-je.
Thuhet se kosovari me Ferrari kishte tentuar ta tejkalonte BMW M2 Competition, por rruga nga dy korsi u kthye në një korsi, dhe erdhi te dalja nga rruga. Prokuroria tha se bëhej fjalë për një garë ilegale, mirëpo gjykata nuk ka konstatuar këtë.
Shoferi i BMW-së ka shpëtuar me gjobë dhe atë me kusht.
Por, kosovari është dënuar me burgim, mirëpo i ka shpëtuar dëbimit nga Zvicra.
“Ne e kemi konsideruar dëbimin”, tha gjykatësja Frei.
Por, ajo ka thënë se familja nuk jeton më në Kosovë, ka ardhur në Dietkon kur i akuzuari ishte i vogël dhe 23-vjeçari ka ndjekur shkollimin këtu dhe ka pasur gjithmonë një vend punë e nuk ka qenë i varur nga ndihma sociale.
“Shpëtuat për pak nga dëbimi. Jeni me fat, është shansi i fundit. Nëse edhe një shkelje ndodh atëherë dëboheni”, tha Frei.