Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka reaguar pasi Komuna e Gjilanit nuk ka ekzekuar pagesat ndaj organizatave jo qeveritare, të cilat ofrojnë shërbime sociale falas për fëmijët dhe familjet në nevojë, në bazë të kontratave të nënshkruara me Komunën e Gjilanit me datë 16 Korrik 2025.
“Pavarësisht se projektet (shërbimet) e organizatave janë përzgjedhur nga Komuna për financim dhe Komuna ka hyrë në obligime kontraktuale me organizatat, ajo akoma nuk ka realizuar pagesat dhe si pasojë e kësaj situate është duke u rrezikuar funksionimi i shërbimeve sociale në Komunën e Gjilanit”, thuhet në reagimin e KOMF.
“Kjo situatë cenon rëndë mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve përfituese, dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve sociale, në një kohë kur nevoja për këto shërbime është më e madhe se kurrë.
KOMF i bën thirrje Komunës së Gjilanit që urgjentisht të përmbushë obligimet e saj financiare ndaj organizatave të kontraktuara në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet ndaj qytetarëve të Komunës së Gjilanit, shërbime këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet tutje në reagim.
KOMF thekson se:
Mos-ekzekutimi i pagesave ka pasoja të menjëhershme:
· Ndërprerje e shërbimeve jetike, duke përfshirë shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara, përkujdesjen për fëmijët pa kujdes prindëror, si dhe ndërhyrjet në raste urgjente – trajtimin e rasteve personave me varësi të përdorimit të drogës;
· Rritje e pasigurisë sociale për grupet më të ndjeshme të shoqërisë;
· Dëmtim i besimit mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike, duke minuar partneritetet e ndërtuara ndër vite.
Ky mosveprim, bie ndesh me:
· Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton të drejtën për mbrojtje sociale dhe shërbime bazë për qytetarët;
· Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, i cili obligon institucionet publike të sigurojnë qasje të barabartë dhe të vazhdueshme në shërbime për grupet në nevojë;
· Parimet e menaxhimit të mirë publik, që kërkojnë përmbushje të obligimeve financiare sipas kontratave të lidhura.
KOMF i bën thirrje Komunës së Gjilanit që:
1. Urgjentisht të ekzekutojë pagesat e dakorduara, për të parandaluar ndërprerjen e shërbimeve dhe dëmtimin e drejtpërdrejtë të përfituesve;
2. Të sigurojë një plan të qartë dhe transparent për ekzekutimin e obligimeve financiare, duke informuar mbi afatet konkrete;
3. Të garantojë që praktika të tilla të mos përsëriten, duke forcuar mekanizmat e planifikimit buxhetor dhe zbatimit kontraktual.
KOMF rikujton se shërbimet sociale nuk mund të trajtohen si çështje dytësore buxhetore. Ato janë detyrim ligjor, moral dhe njerëzor.