Gjatë ditës së sotme është raportuar se disa nxënës të Shkollës “7 Shtatori” në Vitomiricë të Pejës dyshohet se janë helmuar me ushqim. Rasti dyshohet të ketë ndodhur të hënën, por simptomat u shfaqën tek nxënësit të martën.
Sipas njoftimit të shkollës, tetë nxënës janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë. Shkolla ka bërë të ditur se pas orës së katërt mësimore më 21.10.2025, disa nxënës paraqitën simptoma si vjellje, marramendje dhe ndjesi lodhjeje. Menjëherë pas vërejtjes së rasteve, kujdestarët njoftuan prindërit, ndërsa drejtori i shkollës informoi Drejtorin e Arsimit Komunal (DKA) për dyshimin e helmimit.
“Nxënësit janë trajtuar nga personeli mjekësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mësimi gjatë ditës së sotme, më 22.10.2025, është zhvilluar pa pengesa dhe të gjithë nxënësit janë në procesin e rregullt mësimor,” thuhet në njoftimin e shkollës.
Sipas njoftimit në objekt nuk ka vende shitjeje të ushqimeve apo pijes, dhe nxënësit furnizohen me ushqim nga lokalet jashtë shkollës.
Reagimi i plotë:
SHFMU “7 Shtatori” – Vitomiricë
NJOFTIM
Në SHFMU “7 Shtatori” – Vitomiricë, ku vijojnë gjithsej 664 nxënës dhe mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe gjuhën boshnjake, më datë 21.10.2025, pas orës së katërt mësimore janë paraqitur disa raste të nxënësve me simptoma si: vjellje, marramendje dhe ndjesi të përgjithshme lodhjeje.
Menjëherë pas vërejtjes së rasteve, kujdestarët e klasave kanë njoftuar prindërit, ndërsa drejtori i shkollës ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit (DKA) për situatën, duke informuar se ekziston dyshimi për helmim të mundshëm.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë janë paraqitur tetë nxënës, të cilët janë trajtuar nga personeli mjekësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Mësimi gjatë ditës së sotme, më 22.10.2025, është zhvilluar pa pengesa, dhe të gjithë nxënësit janë në procesin e rregullt mësimor.
Theksojmë se në objektin e shkollës nuk ka vende shitjeje të pijeve apo ushqimeve. Nxënësit furnizohen me ushqim dhe pije nga lokalet jashtë shkollës.
Drejtoria e shkollës:
UD. Ekrem Zogaj