463 fishekë, kërkohet paraburgim për pesë të arrestuarit në Rogovë të Gjakovës

463 fishekë, kërkohet paraburgim për pesë të arrestuarit në Rogovë të Gjakovës

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka filluar hetimet dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të arrestuar më 31 maj 2025 në fshatin Rogovë të Gjakovës.

Sipas Prokurorisë, të arrestuarit me inicialet S.H., L.H., F.H., A.H. dhe Sh.H., dyshohen për përfshirje në të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Të dyshuarit fillimisht janë ndaluar për 48 orë dhe tashmë ndaj tyre është paraqitur kërkesa për paraburgim në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Prokuroria njofton se ndaj të dyshuarve rëndojnë një sërë veprash penale, përfshirë: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm (neni 367), Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm (neni 356), Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve (neni 366), Manipulim me prova (neni 389), Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre (neni 378).

Në kuadër të hetimeve, Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në vendin e ngjarjes, përkatësisht:

  • Dy armë automatike,
  • Një pushkë gjuetie,
  • Një pistoletë,
  • 463 fishekë të kalibrave të ndryshëm,
  • Disa gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim, ndërkohë që autoritetet po shqyrtojnë provat dhe dëshmitë për të proceduar më tej me çështjen.

Related Articles